Të shtunën, më 23 nëntor 2013, u mbajt ligjërata e katërt dhe e fundit për këtë vit që e organizoi shoqata PARANDALO me temën: «Cilat dukuri shoqërore nxisin dhunë te të rinjtë dhe familja?»
Në ligjëratën e katërt dhe të fundit për këtë vit që e organizoi shoqata PARANDALO me temën «Cilat dukuri shoqërore nxisin dhunë te të rinjtë dhe në familje?» me ligjëruesit Enver Osmani, pedagog social dhe zonjën Hava Shala-Gerguri ishin të pranishëm mbi 60 persona.
Shoqata PARANDALO përzgjodhi temën e kësaj ligjërate në prag të ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas që shënohet më 25 nëntor. Dukuria e dhunës është hasur edhe gjatë ndërmjesimeve që i ka bërë shoqata PARANDALO. Konfliktet e pazgjidhura mund të shndërrohen lehtë në dhunë, por me ndërmjetësim të hershëm mund të parandalohen.
Mbrëmjen e kësaj ligjërate e hapi zonja Marigona Dauti. Në këtë mbrëmje na nderoi me praninë e saj zëdhënsja e Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Ajmane Veseli, e cila me në fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit dhe e përgëzoi shoqatën PARANDALO për punën dhe ndihmën që i ofron kumunitetit shqiptar në Zvicër.
Të pranishmit i përshëndetën me fjalimet e tyre edhe dr. Xhevat Hasani, zotëri Osman Osmani dhe zotëri Xhemal Selimi, themelues i shoqatës PARANDALO.
Më pas ligjërata filloi me zotëri Enver Osmanin, pedagog social dhe vazhdoi me zonjën Hava Shala-Gërguri.
Kjo ligjëratë në kuadër të vazhdës së manifestimeve për parandalimin e dukurive negative në shoqëri, me ligjërues profesionistë shqiptarë, ishte shumë e qëlluar dhe me karakter informativ për komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër. Të pranishmit ishin nga të gjitha viset shqiptare, të moshave të ndryshme dhe të të dy gjinive duke e bërë kështu ligjëratën edhe më të çmueshme.
Trajtimi i kësaj teme duke u përqendruar në faktorët shoqërorë që nxisin dhunë te të rinjtë dhe në familje ka zgjuar interesim të madh, duke bërë që diskutimi të zhvillohet në mënyrë ndëraktive.
Ne dëshirojmë që me trajtimin e kësaj teme të japim kontribut në parandalimin e dukurive negative në shoqëri dhe ta ngritim shkallën e sensibilizimit të shoqërisë ndaj dukurive shoqërore që nxitin dhunë te të rinjtë dhe në familje.
Pamje të ndryshme gjatë kësaj mbrëmje
Ligjëratat u organizuan nga shoqata PARANDALO në bashkëpunim me “Aktivistët” në kuadër të sindikatës “Unia”, shoqatat “A. Moisiu“ dhe “ProIntegra”, në kuadër të “Projekti 2013” të financuar nga Enti për Integrim i qytetit të Cyrihut.

Mbështetje të vazhdueshme ka ofruar Konzulla e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe platforma albinfo.ch – që i falenderojmë shumë.





















