III/A: Co-Varësia me rastin e përkujdesjes së të varësuarve nga alkooli ose drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë edhe çrregullimet psikike
Shkruar nga Dr. med- Xhevat Hasani
Aspekti i përgjithshëm:
Çka nënkupton Co-Varësia e kombinuar me çrregullime psikike
– Nënkupton të co-varësinë e cila krijohet te anëtarët e familjes dhe te personat të tjerë të cilët i përkujdesin të varësuarit nga mjetet varësuese të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga ç`rregullimet psikike.
Pse ndodhin ç`rregullimet psikike te të varësuarit nga alkooli, drogat ilegale etj.
– Çrregullimet psikike te të varësuarit nga alkooli ose/dhe drogat ilegale ndodhin sepse këto mjete varësuese kur mirrën për kohë të gjatë i dëmtojnë sidomos strukturat e trurit.
Pse ndodh shfaqja e çrregullimeve psikike
– Strukturat e dëmtuara të trurit për shkak të përdorimit afatgjatë të alkoolit ose të drogave ilegale çojnë në shfaqjen e çrregullimeve (sëmundjeve) psikike.
Kur ndodhin çrregullimet psikike të të varësuarit nga alkooli dhe drogat ilegale
* Çrregullimet tilla ndodhin në tri raste:
– Kur të varësuarit për shkaqe të ndryshme e ndërpresin tërësisht marrjen e substancave varësuese, ose
– Kur të varësuarit kanë filluar të marrin sasi më të mëdha të substancave varësuese se zakonisht, ose
– Kur të varësuarit kanë filluar me marrë sasi më të vogla të substancave varësuese se zakonisht
Cilat janë çrregullimet psikike të cilat mund të ndodhin te të varësuarit nga alkooli dhe drogat ilegale
* Ç`rregullimet psikike që ndodhin për shkak të përdorimit afatgjatë të alkoolit dhe të drogave ilegale janë të shumta. Më poshtë po i shqyrtojmë shkurtazi disa prej tyre
Aspekti specifik:
A) Cilat janë çrregullimet psikike që shkaktohen nga varësia prej alkoolit
1. Sindromi alkoolik pa delir
Definicioni
* Sindromi alkoolik pa delir praqet turbullim të vetëdijes dhe të vëmendjes për shkak të mos marrjes së alkoholit, marrjes së tepruar, ose marrjes me sasi të vogël
Kur dhe si shfaqet sindromi alkoolik
– Sindromi alkoolik fillon diku 10 orë pasiqë i varësuari nga alkooli nuk ka marrë alkool duke e arritur kulmin e tij diku 24 deri 48 orë pasi që i varësuari ka marr alkool herën e fundit
Cilat janë shenjat e sindromit alkoolik:
– Vjellje, barkqitje, rrahje të shpeshta të zemrës, djersitje, pagjumësi, temperaturë, dridhje, vështirësi në folje, sulme epileptike, frikë, depresion etj.
2. Sindromi alkoolik me Delir
Terminologjia
* Emërtimi delir vjen nga fjala latine lira që do të thotë brazdë, hulli; de-lirare do të thotë i dalur nga brazda, i dalur nga hullia. Në popull përdorët thënia „ i dalë nga shinat!“
* I dalë nga brazda, i dalë nga hullia, në literaturën gjermane e ka kuptimin me qenë i gabuar/i mashtruar/, përkatësisht me qenë në gjendje të turbullt, të paqartë, të ngatërruar e të hutuar
Definicioni
* Sindromi alkoolik me delir praqet turbullim të theksuar të vetëdijes dhe të vëmendjes për shkak të ndërprerjes së marrjes së alkoolit (abstinencës), ose marrjes së tepruar, ose marrjes në sasi të pakët të alkoolit
Çka është deliri
* Deliri është gjendje me vetëdije dhe perceptim të turbullt dhe të ngushtuar të shoqëruar me dezorientim, çrregullim të mbamendjes, çrregullime psikomotorike, çrregullime të gjumit, halucinacione pamore dhe të dëgjimit, agjitim etj.
Cili është shkaku i drejtpërdrejt i shfaqjes së delirit
* Shkaku i drejtpërdrejt i shfaqjes së delirit janë strukturat e strukturat e dëmtuara të trurit nga faktor të jashtëm, siç janë p.sh: edhe alkooli etj
Kur dhe si shfaqet sindromi alkoolik me delir
– Ky sindromë shfaqet në rreth 5 deri 15% të alkoolikëve kronik. Fillon diku 48 deri 72 orë pas marrjes (konsumit) të fundit të alkoolit duke e arritur kulmin diku pas 4 ditësh dhe mund të zgjasë deri në 2 javë.
Rrezikshmëria
– Sindromi alkoolik me delir paraqet një gjendje të rëndë me rrezik për jetën e të varësuarve nga alkooli.
– Kur nuk merren masa të shpejta shëruese rreth 20% e personave me delir alkoolik vdesin, kurse kur merren masa shëruese vdesin rreth 2% e tyre
Cilat janë shenjat e delirit alkoolik
– Përveç shenjave të lartpërmendura të sindromit alkoolik pa delir (Vjellja, barkqitja, rrahja e shpeshtë e zemrës, shtypja e lartë e gjakut, djersitja, pagjumësia, temperatura, dridhja, vështirësia në të folur, sulmet epileptike, frikat dhe depresioni), te sindromi alkoolik me delir kemi edhe shenja /simptome/ shtesë si më poshtë:
– Dezorientim hapësinor dhe kohor – Ata që janë në delir alkoolik nuk e dinë vendin ku janë, ku kanë ardhur dhe pse kanë ardhur në një vend; nuk e din datën, ditën e javës, muajin dhe vitin
– Gëzohen (qeshin) ose hidhërohen (çajnë) pa ndonjë arsye të shëndoshë
– Gjumin e bëjnë copa-copa: flenë një kohë, çohen, prapa flenë
– Mbamendja/memoria/ nuk u funksion fare ose iu funksionon në mënyrë të kufizuar
– Bëjnë lëvizje të vazhdueshme, të vogla si duke lozur me fije
– Paraqesin sjellje agjituese me reagime të vrullshme trupore të shoqëruara me britma nga frikat
– Kanë halucinacione pamore /optike/, përkatësisht shohin skena të ndryshme: gjësende, insekte (merimanga), kafshë të imta (kryesisht mijë të bardhë, ketra), skena dhe veprime të ndryshme të paqena
– Kanë halucinacione dëgjimore/akustike/ përkatësisht dëgjojnë zëra, fjalë, fjali, ofendime, urdhra nga të tjerët të cilat realisht nuk ndodhin e nuk eksitojnë
– I rrezikojnë tjerët sepse shumë gjëra dhe situata të cilat realisht nuk paraqesin rrezik i kuptojnë si rrezik për vetën e tyre dhe në „vetëmbrojtje“ e sipër mund t`i sulmojnë të tjerët në afërsi
– E rrezikojnë vetën duke u ndier të rrezikuar nga të tjerët
Këshilla
Alkooliket në gjendje delirante me rrezikshmëri për vetën dhe të tjerët duhet të hospitalizohen patjetër në klinikat psikiatrike ose në klinikat e veçanta për shërimin e varësive
B) Çrregullimet psikotike për shkak të konsumimit të alkoolit dhe të drogave ilegale
Aspekti i përgjithshëm:
Terminologjia
– Emërtimi psikozë vjen nga fjala greke „psyhosis“ që do të thotë „xhindosje“ dhe „psyhe“ që do të thotë „shpirt“
– Kështu, psikozë do të thotë „xhindosje shpirtërore!“
– Xhindosje (gjermanisht „Besessenheit“) do të thotë gjendje me ngacmueshmëri të theksuar për shkak të zotërimit të të goditurit nga ana e djajve (demonëve) ose e shpirtrave të këqij
– Në mjekësi gjendjet me xhindosje kuptohen si gjendje të cilat ndodhin për shkak të ndryshimeve të cilat ndodhin në strukturat e trurit
– Në gjuhën popullore psikozave iu thonë skizofreni gjë që nuk është gjithnjë e saktë
Definicioni
* Psikozat paraqesin çrregullime psikike me humbje të pjesërishme ose totale të realitetit objektiv
– Të sëmurët nga psikozat e krijojnë realitetin e tyre të veçantë (privat) i cili nuk pajtohet me realitetin objektiv të të tjerëve
Cilat janë substancat varësuese të cilat shkaktojnë psikoza
* Pothuajse të gjitha substancat varësuese nëse merren (konsumohen) për kohë të gjatë çojnë në psikoza. Të tilla janë: Alkooli, kanabisi (hashashi, marihuana), heroina, kokaina, LSD etj
Si ndahen psikozat
– Psikozat ndahen në psikoza me bazë të brendshme trashëguese të cilave nuk iu dihen saktë shkaktarët dhe në psikoza me bazë të jashtme të cilave iu dihen shkaktarët
Cilët janë shkaktarët e jashtëm që çojnë në zhvillimin e psikozave
* Shkaktarët e jashtëm që çojnë ne zhvillimin e psikozave janë: alkooli, drogat ilegale, helmet, disa grupe medikamentesh, dëmtimet fizike/traumat fizike/të trurit dhe sipas rastit edhe disa sëmundje trupore
Aspekti specifik:
Cilat janë psikozat e shkaktuara nga alkooli dhe drogat ilegale:
1. Psikoza alkoolike/Sindromi Korsakow/
* Alkooli përveç lukthit, mëlçisë dhe zemrës e dëmton edhe trurin duke shkaktuar kësisoj çrregullime psikike siç janë: Sindromi alkoolik pa delir, sindromi alkoolik me delir dhe psikoza alkoolike
Cilat janë shenjat e psikozës alkoolike
– Shenjat e psikozës alkoolike janë të ngjashme me ato të sindromit alkoolik me delir të përmendura më lartë
– Por derisa deliri alkoolik është akut, i vrullshëm dhe i përkohshëm, psikoza alkoolike ka rrjedhje të ngadalshme kronike
– Halucinacionet pamore /optike/dhe ato të dëgjimit /akustike/ janë dy nga shenjat kryesore të psikozës alkoolike
– Idetë, përfytyrimet dhe mendimet paranoike (joreale) janë po ashtu pjesë e shenjave të psikozës alkoolike
– Tipike për psikozën alkoolike janë idetë paranoike të xhelozisë. Kështu, burrat alkoolik të cilët vuajnë nga psikoza alkoolike besojnë se gratë e tyre çojnë dashuri me tjetrin (X-in ose Y-in) edhe pse kjo nuk është e vërtet
2. Psikoza kokainike
– Psikoza kokainike ndodh për shkak të konsumimit të kokainës dhe është e ngjashme me psikozën alkoolike
– Për dallim nga psikoza alkoolike te psikoza kokainike përveç halucinacioneve pamore/optike/ dhe të dëgjimit /akustike/, shfaqen edhe:
* Halucinacione taktile, ose të prekjes, ose të ndjesive, të cilat paraqesin perceptime të gabuara në sipërfaqen e lëkurës, p. sh: ndjesia e rrjedhjes së ujit të ngrohtë nëpër lëkurë/sipërfaqe të trupit/, edhe pse diçka e tillë s`ka ndodhur fare, si dhe
* Halucinacionet taktile të përceptimeve të gabuara sikur gjoja insekte të imta lëvrijnë mbi sipërfaqen ose nën sipërfaqen e lëkurës
3. Psikoza kanabinike
– Ndodhë për shkak të konsumimit afatgjatë të kanabisit (hashashit dhe marihuanes).
– Studimet flasin se te rreth 1,2% e përdoruesve afatgjatë të kanabisit mund shfaqen psikoza kanabinike
4. Psikozat skizofrenike të indukuara/të shtytura/ nga substancat varësuese
Aspekti i përgjithshëm:
Terminologjia:
Emërtimi skizofreni vjen nga fjalët greke skizos që do të thotë shqyerje dhe fren që do të thotë shpirt ose diafragmë (latinisht diafragma, greqisht diafrasos)
Kështu skizofreni do të thotë shqyerje shpirtërore, ose shqyerje e diafragmës
Çka është skizofrenia
Skizofrenia është një sëmundje psikike (psikozë) e rëndë. Karakterizohet me çrregullimet e të menduarit, të perceptimit dhe të afektit. Skizofrenia shfaqet në forma të ndryshme.
Cilat janë shenjat e skizofrenisë
Karakteristike për skizofrenin janë çrregullimit e përjetimit siç janë ato Un–it, me ç`rast skizofrenet e përjetojnë vetën si të huaj, përkatësisht si një tjetër (fenomeni i depersonalizimit). Më tej atyre iu mungon aftësia për ta vënë kufirin midis Un-it ( vetës) dhe të tjerëve në ambientin rrethues. Kështu, ata besojnë se disa mendime nuk janë të tyret por u janë dhënë (implantuar) nga jashtë nga të tjerët, ose se disa mendime të tyre janë përhapur sepse janë përvetësuar nga të tjerët, ose se disa mendime u janë hequr apo bllokuar po ashtu nga të tjerët, se disa ndjenja, veprime dhe impulse që ata kanë nuk janë të tyret, por u janë dhënë (bërë) nga të tjerët nga jashtë etj.
Për shkak të ç`rregullimeve të të menduarit skizofrenet kanë halucinacione pamore (optike) dhe sidomos dëgjimore (akustike). Ata dëgjojnë zëra, fjali të tëra me përmbajtje të këqija ose të mira të cilat besojnë se iu vijnë nga jashtë për qëllime të caktuara. Më tej po për shkak të çrregullimeve të të menduarit skizofrenet krijojnë përfytyrime dhe mendime paranoike, siç janë p. sh: ato të përndjekjes nga të tjerët sepse ata paraqesin persona me rëndësi, ose ato të madhështisë duke menduar se janë të shenjtë që kanë lidhje me Zotin, ose se janë pasardhës të njerëzve të dëgjuar dhe forma të tjera të paranojës, përmbajtja jologjike e të cilave nuk përkon aspak me realitetin objektiv dhe me ligjet e natyrës.
Me që simptomet e tilla skizofrenet s`i kanë pasuar më parë ato quhen plus simptome, ose simptome pozitive, të cilat shfaqen shpejt dhe papritur dhe të cilat flasin për prognozë të mirë të skizofrenisë.
Nga ana tjetër te skizofrenet paraqitën edhe minus simptome, përkatësisht simptome negative, të cilat kanë të bëjnë me disa karakteristika personale të cilat skizofrenet i kanë pasur por nuk i kanë më. Minus simptomet shfaqen ngadalë e si tinëzisht dhe flasin për prognozë jo të mirë të skizofrenisë.
Në grupin e minus simptomeve bëjnë pjesë deficitet kognitive (deficitet e njohjes reale të gjërave dhe të fenomeneve), deficitet motorike të cilat shkojnë me reduktimin e lëvizjeve trupore përkatësisht të mimikës dhe të gjestikës. Shprehjet e skizofreneve shkurtohen, varfërohen ose përsëritën si një fjali ose mendim i caktuar (idiolalia). Në grupin e minus simptome hynë edhe çrregullimet e gjumit dhe simptomet e depresionit me mungesë të shtytjeve (instinkteve dhe të epsheve), me mungesë të motivacionit për aktivitete, me çrregullime afektive të cilat bëjnë që skizofrenet të janë indiferent si ndaj ngjarjeve të mira ashtu edhe ndaj ngjarjeve të këqija. Çrregullimet e tilla afektive i bëjnë emocionet e të sëmurëve nga skizofrenia të rrafshëta. Te skizofrenet është vështirë të dallohet gëzimi, hidhërimi, pezmatimi, zemërimi etj. Mimika dhe gjestika e tyre shpesh nuk flet për asgjë. Simptomet e tilla negative shpien në redukim të komunikimit, të kontakteve sociale, të aktiviteteve dhe sipas rastit edhe deri në invaliditet të skizofreneve.
Shkaqet e shfaqjes së skizofrenisë janë të brendshme, gjenetike, kurse faktorët tjerë (ngjarjet jo të mira) paraqesin faktor dytësor dhe vetëm iniciues për tu shfaqur skizofrenia.
Aspekti specifik:
Çka janë psikozat skizofrenike të indukuara
Për dallim nga skizofrenit me bazë të brendshme trashëguese/gjenetike/, skizofrenit e indukuara shkaktohen nga faktor të jashtëm të cilët i dëmtojnë strukturat e trurit, siç janë edhe alkooli dhe drogat e ndryshme ilegale kur ato konsumohen për vite të tëra. Por jo të gjithë konsumuesit e drogave ilegale sëmurën nga psikozat skizofrenike. Të tilla psikoza shfaqen te ajo pjesë e të varësuarve e cila në njëfarë mase e ka brenda vetës prirjen gjenetike për zhvillime psikotike, por e cila në mungesë të dëmtimeve të trurit nga alkooli dhe drogat tjera ilegale nuk do të vinte në shprehje.
Këshilla
Të varësuarit nga alkooli dhe drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga psikozat skizofrenike duhet që patjetër të trajtohen nga personat profesionist, siç janë psikiatrat dhe psikologët, si dhe nga personat tjerë profesionist për trajtime somatike (trupore) të të sëmurëve
Në raste të krizave skizofrenike kur të sëmurët e rrezikojnë vetën ose të tjerët, ata, duhet të hospitalizohen patjetër, qoftë edhe në kundërshtim me vullnetin e tyre
Institucionet
Klinikat psikiatrike ose klinikat e veçanta për shërimin e varësive
C) Rrjedha e co-varësisë te varësitë e kombinuara me çrregullime psikike
Aspekti i përgjithshëm:
Në fazën e parë, anëtarët e familjes dhe të tjerët (kolegët e punës ose njerëzit „humanist“) përpiqen që me arsyetime dhe mbështetje të ndryshme t`u ndihmojnë të varësuarve nga alkooli dhe drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë nga çrregullimet psikike të përmendura më lartë. Në këtë fazë „ndihmuesit“ i mbështesin të goditurit duke e sakrifikuar kohën e tyre, sipas rastit edhe duke i ndihmuar ata edhe financiarisht dhe duke investuar për përmirësimin e tyre shumë energji. Të gjitha veprimet e tilla të ndihmuesve i shmangin të goditurit nga vetëpërgjegjësia. Ata nuk marrin masa për pakësimin e konsumimit ose ndërprerjen e konsumit të alkoolit ose të drogave ilegale, sepse për konsumim të mëtejshëm ata e kanë gjetur mbështetjen morale (përkujdesje) dhe sipas rastit edhe financiare te të tjerët (anëtarët e familjes dhe „ndihmuesit“).
Kështu, është i njohur „sindromi ndihmues“ i individëve të cilët angazhohen vullnetarisht për përkujdesjen e të goditurve, ndër të tjera edhe për t`u bërë ata të njohur për rrethin si „njerëz të mirë“ e si „humanist“ me emër. „Ndihmuesit“ tillë të shumtën e herëve janë njerëz të cilët vuajnë nga kompleksi i nënvlerës dhe përpiqen që të krijojnë vlera duke i përkujdesur e ndihmuar, shpeshherë jashtë mundësive të tyre reale të tjerët, si të varësuarit nga alkooli ose drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga çrregullimet/sëmundjet/ psikike.
Përfundimisht, sjelljet e tilla të „ndihmuesve“ kanë efekte të kundërta. Ato vetëm sa e favorizojnë edhe më shumë varësimin e të goditurve nga alkooli dhe drogat, dhe për rrjedhojë edhe i thellojnë më tepër çrregullimet psikike të të goditurve, si dhe e co-varësojnë vetën edhe më shumë ndaj problematikave të tilla.
Në fazën e dytë, anëtarët e familjes duke e parë se ndihmesat e tyre në formën e arsyetimit dhe të mbështetjes për të goditurit kanë rezultuar të pasuksesshme, fillojnë që të goditurit me aq sa munden t`i vënë nën kontroll të vazhdueshme, në mënyrë që ata të mos konsumojnë alkool ose droga ilegale dhe për rrjedhojë edhe të përmirësohen e të shërohen, si nga varësitë ashtu edhe nga çrregullimet psikike prej të cilave vuajnë. Kështu, personat ndihmues sërish investojnë shumë mund dhe kohë për t`i mbajtur nën kontroll të goditurit duke e arritur sërish efektin e kundërt, sepse të goditurit sërish i shmangën marrjes së përgjegjësisë për vetën e tyre, sepse përgjegjësit e tyre i kanë marrë të tjerët, anëtarët e familjes dhe sipas rastit miqtë, shokët dhe „humanistët!“.
Në fazën e tretë, anëtarët e familjes dhe të tjerët fillojnë ti akuzojnë të goditurit për mosmarrjen e vetëpërgjegjësisë, si dhe kërkojnë ndihmë nga personat dhe institucionet përkatëse për shërimin e tyre nga varësitë dhe nga çrregullimet psikike. Por edhe në rastet kur të goditurit nga varësit dhe çrregullimet psikike në sajë të terapive adekuate përmirësohen dhe shërohen, të co-varësuarit për vet faktin se kanë frikë se të goditurve mund t`u kthehen sërish gjendjet e mëparshme, dhe për vet faktin se ata nuk janë trajtuar dhe shëruar, vazhdojnë që edhe më tej të vuajnë nga shenjat e co-varësisë.
Këshilla
Të co-varësuarit duhet të trajtohen nga personat profesionist për shërimin e co-varësimit të tyre ndaj problematikave të të varësuarve dhe njëkohësisht të të çrregulluarve psikik
Ata duhet t`i kuptojnë kufijtë e tyre në dhënien e ndihmës për të varësuarit si dhe duhet t`i kuptojnë efektet negative të ndihmëdhënies si për të varësuarit ashtu edhe për vetën e tyre.
Aspekti specifik:
Cilat janë çrregullimet psikike prej të cilave mund të vuajnë të Co-Varësuarit
Duke pasur parasysh se anëtarët e familjes dhe të tjerët tani konfrontohen me të goditur që nuk vuajnë vetëm nga varësia por njëkohësisht edhe nga çrregullimet psikike, kjo bënë që ata gjatë përkujdesjes dhe ndihmesave që bëjnë për të varësuarit e sëmurë psikikisht, përveçse nga shenjat e lartpërmendura të co-varësisë, të vuajnë edhe nga çrregullimet tjera psikike të cilat trajtohen më poshtë.
1. Depresionet
Aspekti i përgjithshëm:
Terminologjia – Emërtimi depresion vjen nga fjala latine „deprimere“ që do të thotë „me shtyp“, „me goditë“, „me ndrydhë“, „me rrëzuar diçka për dhe me goditje“
Definicioni – Depresionet janë çrregullime psikike afektive që shkojnë me humor/disponim/ të rënë. Me fjalë të tjera depresioni paraqet spostim/rënie/ të instinkteve dhe të epsheve, të cilat paraqesin shtytje të brendshme për aktivitete dhe procese jetësore.
Kohëzgjatja – Depresionet e patrajtuara (të pashëruara) mund të zgjasin nga disa muaj deri në disa vite derisa ato kronifikohen.
Shpeshtësia– Rreth 20% e të të gjithë njerëzve së pakut njëherë në jetën e tyre vuajnë nga depresionet
Prevalenca gjinore– Femrat vuajnë nga depresionet më shumë se meshkujt
Shkalla e depresioneve – Sipas rastit depresionet mund të janë të lehta, mesatare dhe të rënda
Llojet e depresioneve
Me i njohuri është depresioni bipolar i cili përbëhet nga episodi depresiv i cili zgjatë dy-tre muaj dhe vazhdon si episod me mani i cili po ashtu zgjatë dy-tre muaj. Episodet e tilla me depresion dhe mani ndërrohen në mënyrë alternative dhe si të patrajtuara mund të zgjasin për vite të tëra.
Depresioni neurotik shkaktohet nga faktorët e jashtëm rrethanor, përfshirë këtu edhe ngarkesat psikike të cilat krijohen në mesin e anëtarëve të familjes dhe të tjerëve të cilët merren me përkujdesin e të varësuarve të cilët vuajnë njëkohësisht edhe nga sëmundjet psikike.
Shenjat e depresionit:
Shenjat kryesore të depresionit janë humbja e pjesshme ose e plot e aftësisë për t`u gëzuar, për të dashur dhe për tu pikëlluar paraqesin shenjat kryesore të depresioneve
Shenjat dytësore të depresionit varën sipas shkallës dhe llojeve të depresioneve. Kështu depresivët sipas rastit vuajnë nga brengat, frikat dhe pasiguritë e tepruara lidhur me të ardhmen. Ndjehen të lënë, të braktisur, të pa ndihmuar, të pavlerë, të paaftë e të nënvleftësuar. Vuajnë në lodhjet dhe pafuqitë trupore e shpirtërore, nga mungesa e koncentrimit dhe e vëmendjes, nga harresat, nga të menduarit e ngadalësuar, nga mendimet negative dhe pesimiste, nga paaftësia për të pasur vullnet dhe për menduar pozitivisht, për të dashur e për të bërë seks etj.. Më tej ata vuajnë nga çrregullimet e gjumit, zgjuarja e vështirë në mëngjes pa asnjë shpresë e vullnet. Kështu është i njohur depresioni i thellë i mëngjesit dhe i paradites, i cili zakonisht përmirësohet gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve. Edhe humbja e oreksit, marrja e pakët e ushqimit dhe humbja e peshës janë shenja të depresionit. Dhe së fundi pjesë e shenjave të depresionit janë edhe një seri simptomash trupore si p. sh: topitjet e kokës, ndjenja e kokës së tejmbushur ose zbrazur, pengesat në frymëmarrje (lëmshi topi në fyt apo në gjoks), pengesat e barkut (topi, lëmshi në lukth), dhimbjet e muskujve të qafës të shpatullave, të kurrizit etj.
Mania
Terminologjia –Emërtimi mani rrjedhë nga fjala greke mania që do të thotë shpërthim, zemërim, tërbim, çmenduri, marrëzi.
Definicioni – Mania si edhe depresioni paraqet një çrregullim afektiv me humor (disponim) dhe shtytje të brendshme (instinkte dhe epshe) të rritura mbi nivelin e zakonshëm të normalitetit.
Kohëzgjatja – Gjendjet me mani quhen episode me mani të cilat zgjasin dy-tre muaj. Te depresioni bipolar episodet me mani i vijnë pas episodeve me depresion
Shenjat e manisë:
Tejngacmueshmëria si pasojë e rritjes së shtytjeve të brendshme
Humori (disponimi) i rritur dhe intensiv
Rritja e vetëdijes dhe e kthjelltësisë mendore pa ndonjë arsye
Aktivitete trupore dhe mendore të vazhdueshme për pa gjetur qetësim
Ndjeshmëri e pakët deri e munguar në raport me nevojat e të tjerëve
Veprime dhe sjellje të guximshme të papenguara /të pakontrolluara/
Ardhja e vazhdueshme dhe e shpejt e ideve të reja njëra pas tjetrës për shkak të asociacioneve të shumta
Gjatë bisedës ikje (shmangie) nga tema kryesore dhe marrje me tema dytësore pa u kthyer sërish te tema kryesore
Biseda e vazhdueshme pa pikë e pa presje (logorea) sa që tjetri e ka vështirë ta kuptoj
Paranoja e madhështisë në formën e mendjemadhësisë (megalomanisë)
Rënie e vëmendjes në raport me ambientin për shkak të angazhimit intensiv me idetë vetanake
Rënie drastike e nevojës për të fjetur
Aspekti specifik:
Te të co-varësuarit (familjarët dhe të tjerët) për shkak të ngarkesave enorme me rastin e përkujdesjes intensive të të varësuarve me çrregullime psikike, herë pas here mund të vuajnë nga depresionet episodike, të shoqëruara ose jo me episode të manisë
Këshilla:
Të co-varësuarit duhet që me kohë ta kërkojnë shërimin e tyre nga personat profesionist: psikiatrat dhe psikologët
Sipas rastit ata përveç psikoterapive duhet të marrin edhe antidepresiv
2. Çrregullimet e frikës
Aspekti i përgjithshëm:
Terminologjia – Fjala greke „pfobos“ do të thotë „frikë, trembje nga objektet e caktuara“, p. sh: hidrofobia nënkupton frika nga uji, tanapfobia nënkupton frikën nga vdekja, klaustrofobia paraqet frikën nga ambientet e ngushta. Sipas objektit i cili shkakton frikë, fobitë janë të shumta
Çka është frika normale- Jo çdo frikë paraqet çrregullim të frikës. Frika optimale paraqet një afekt emocional normal dhe të domosdoshëm, përkatësish një alarm të dobishëm në raport me kërcënimet dhe rreziqet reale që i kanosen njeriut.
Çka është frika patologjike ose frika e çrregulluar, e sëmurë – Frika patologjike ose e sëmurë paraqet frikën e tepruar ose të pakësuar ndaj faktorëve kërcënues e rrezikues për shkak të çrregullimeve të frikës
Kur ndodh frika e çrregulluar – Frika e çrregulluar/e sëmurë ose patologjike/ndodh sa herë që rrezikshmëria e një fenomeni real mbivlerësohet ose nënvlerësohet
Frika në formën e atakut panik ndodhë pa ndonjë rrezik real
Llojet e frikave
Llojet e frikave janë të shumta, por frikat kryesisht ndahen në:
– Në frika të përgjithshme ose jospecifike të cilat nuk kanë të bëjnë me frikat nga objekte dhe situata të veçanta e të caktuara, dhe
– Frika të veçanta ose specifike të cilat kanë të bëjnë me frikat nga objekte e situata të caktuara
Si shfaqet frika e çrregulluar
Kur frika i mbizotëron emocionet dhe sjelljet e të goditurve ajo paraqet çrregullim dhe diagnozë në vetvete, kurse kur ajo paraqitët në kuadër të çrregullimeve të tjera psikike, paraqet vetëm një simptomë të çrregullimeve të tilla
Ka pak çrregullime psikike që nuk e kanë simptomën e frikës
Aspekti specifik:
Duke pasur parasysh se të varësuarit nga mjetet varësuese të cilët vuajnë njëkohësisht edhe nga çrregullimet psikike, sipas rastit mund të bëjnë veprime kërcënuese dhe të rrezikshme ndaj të tjerëve dhe sipas rastit edhe ndaj vetës, të co-varësuarit (anëtarët e familjes dhe të tjerët) jetojnë me frikë se çfarë veprimi të papritur mund të ndërmarrin të varësuarit me çrregullime psikike në secilin moment të ardhshëm. Me fjalë të tjera të co-varësuarit janë vazhdimisht në frikë dhe pritje të veprimeve të mundshme të rrezikshme të të goditurve. Frika e tillë është e përgjithshme dhe jospecifike sepse nuk është fobi nga ndonjë objekt i caktuar. Me kalimin e kohës dhe sipas rastit te të co-varësuarit mund të paraqitën edhe fobi specifike që kanë të bëjnë me objekte të caktuara
Këshilla
Të co-varësuarit që vuajnë nga çrregullimet e frikës duhet të trajtohen nga personat profesionist, psikiatër dhe psikolog me arsimime plotësuese për trajtimin dhe shërimin e frikës
3. Trauma/Traumatizimi/
Aspekti i përgjithshëm:
Çka është trauma psikike ose psikotrauma –Trauma paraqet tronditje të thellë psikike dhe për rrjedhojë edhe trupore për shkak të ekspozimit të të goditurve ndaj ngjarjeve negative.
Çka godet trauma/procesi traumatik/ – Procesi traumatik i godet të gjitha rrafshët e qenies njerëzore: rrafshin psikik, biologjik dhe social, duke e cenuar kësisoj seriozisht paprekshmërinë e integritetit psikofizik të të goditurit.
Cilat janë ngjarjet traumatike – Traumatike/traumatizuese/ janë vetëm ato ngjarje të cilat me forcën e tyre goditëse i tejkalojnë aftësitë përballuese të të goditurve
Llojet e traumave/traumatizimeve
Me rastin e ndodhjes së ngjarjeve traumatike ndodhë traumatizimi i të goditurve, si i atyre mbi të cilët ngjarjet traumatike veprojnë drejtpërdrejt, me ç`rast ndodhë traumatizimi primar, ashtu edhe i atyre mbi të cilët ngjarjet traumatike veprojnë jo drejtpërdrejt me ç`rast ndodh traumatizimi sekondar. Ky i fundit ndodhë duke i parë me sy ngjarjeve traumatike, ose duke dëgjuar për to nëpërmjet të mjeteve të informimit ose nga vet të goditurit.
Rrjedhat e mundshme të procesit traumatizues
– Trauma me rastin e ndodhjes shkakton stres akut traumatik i cili për shkak të ripërjetimit të ngjarjes traumatike mund të ripërsëritët për një deri në dy muaj
– Nëse edhe pas një apo dy muajsh stresi traumatik në sajë të ripërjetimit të ngjarjes traumatike vazhdon më tej duke u ripërsëritur për gjashtë muaj, një apo disa vite rresht, kemi të bëjmë me stresin posttraumatik
– Nëse edhe pas gjashtë muajsh, një apo dy-tre vitesh stresi traumatik në sajë të ripërjetimit të ngjarjes traumatike vazhdon të ripërsëritet, kemi të bëjmë me stresin kronik traumatik, përkatësisht me kronifikimin e traumës
Simptomet (shenjat) dhe sjelljet e të traumatizuarve
Të traumatizuarit vuajnë nga një sërë simptomash (shenjash) dhe sjelljesh traumatike të cilat të shumtën e herëve vijnë në kundërshtim me ambientin rrethues, me normat e të lejueshmes dhe të tolerueshmes brenda shoqërisë.
Shenjat dhe sjelljet kryesore të cilat e karakterizojnë përditshmërinë e të traumatizuarve janë si më poshtë:
Gjatë ditës të traumatizuarit iu nënshtrohen ripërjetimeve shkreptimë (Flashbak) të ngjarjes/ngjarjeve traumatike/ të iniciuara nga „çelësat ngacmues“ prezent në ambientin jetësor/rrethues/. Në momentin e ripërjetimit të traumatizuarit ndjehen të frikësuar e të rrezikuar si në momentin kur ka ndodhur ngjarja traumatike realisht. Ata reagojnë me frikë, ndjehen të pa ndihmuar, të mundur dhe të pafuqishëm. Tërë kjo shoqërohet edhe me shenja trupore: me rrahje të shpeshta të zemrës, frymëmarrje të shpejtuara, trembje, tendosje e dridhje trupore, ose me pafuqi trupore sipas rastit deri në alivanosje.
Gjatë natës të traumatizuarit i nënshtrohen ripërjetimit të ngjarjes/ngjarjeve/traumatike nëpërmjet të ëndrrave të llahtarshme me përmbajtje të keqe. Ata zgjohen nga ëndrrat e tilla të djersitur e të frikësuar, sipas rastit edhe duke kërcyer nga shtrati e duke lëshuar britma dhe duke i frikësuar kësisoj edhe anëtarët e familjes.
Meqë ngjarja traumatike ka qenë e frikshme, e papritur dhe e rrezikshme, të traumatizuarit manifestojnë reaksione të shpejta dhe të automatizuara të frikës ndaj secilit ngacmim të jashtëm siç janë: britmat, kërcitjet, krismat, tonet, sirenat e makinave, tingëllima e ziles në derë, cingërima e telefonit etj.
Më tej, të traumatizuarit për t`i ikur ripërjetimit të ngjarjeve traumatike e ushtrojnë strategjinë e shmangies. Ata shmangën dhe izolohen nga rrethi dhe shoqëria për të mos rënë në kontakt me situata (“çelësa ngacmues”) të cilat çojnë në ripërjetimin e traumës. Çrregullimet e gjumit, të marrjes së ushqimit dhe të strukturës ditore janë shenja dhe sjellje të zakonshme në mesin e të traumatizuarve. Mosaftësia për koncentrim e vëmendje, harresa, vështirësitë për të mësuar gjëra të reja, janë po ashtu shenja të cilat e përcjellin procesin traumatik.
Me kalimin e kohës dhe me kronifikimin e traumës të goditurit vuajnë edhe nga dhimbjet trupore. Dhimbjet e kokës, të qafës, të shpatullave, të ijëve janë shpesh të zakonshme.
Aspekti specifik
Duke pasur parasysh se të varësuarit nga alkooli ose nga drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë nga çrregullimet psikike sipas rastit janë agresiv dhe të dhunshëm ndaj të tjerëve, kjo bënë që anëtarët e familjes dhe personat tjerë ndihmues, duke qenë vet të sulmuar nga të goditurit t`i nënshtrohen traumatizimit primar, ose duke qenë dëshmitar të veprimeve të dhunshme të të varësuarve t`i nënshtrohen traumatizimit sekondar. Traumatizimi sekondar bëhet shpesh arsye pse anëtarët e familjes dhe ndihmëdhënësit tjerë duan të shmangën ose shmangën nga përkujdesi i mëtejshëm i të varësuarve me çrregullime psikike.
Këshilla
Të co-varësuarit e traumatizuar në mënyrë primare ose sekondare duhet t`u nënshtrohen terapive nga ana e personave profesionit, siç janë psikiatrat dhe psikologët me arsimime plotësuese në lëmin e psikotraumatologjisë
