II. Co-Varësia me rastin e varësisë nga alkooli dhe drogat ilegale
Shkruar nga Dr. med. Xhevat Hasani
Aspekti i përgjithshëm:
Çka është varësia substanciale – Varësitë substanciale janë ato varësi të cilat krijohen nëpërmjet të marrjes (konsumimit) të substancave të njohura varësuese të cilat janë të shumta.
Cilat janë substancat varësuese – Substancat varësuese në kohët e sotme janë të shumta. Një pjesë e tyre janë droga legale, siç është duhani, birra, vera, alkooli. Një pjesë tjetër e tyre janë droga ilegale, siç është kanabisi, morfina, heroina, kokaina etj. Nga ana tjetër janë shumë produkte farmaceutike të cilat kur merren në doza dhe afate optimale shërbejnë si medikamente kundër çrregullimeve dhe sëmundjeve të ndryshme, kurse kur merren në doza të larta dhe për kohë të gjatë veprojnë si droga varësuese. Të tilla janë medikamentet qetësuese (benzodiazepinat), ato për përmirësimin e gjumit (hipnotiket), substancat psikoaktive (amfetaminat), substancat shtimin e muskujve (anaboliket), medikamentet kundër epilepsisë (antiepileptikët), medikamentet kundër kapsllëkut (laksativet) etj.
Si përfitohen substancat varësuese – Disa popuj tradicionalisht i përdorin edhe tani bimët varësuese duke i thithur tymrat e tyre ose duke i përtypur ato në gojë. Një pjesë e substancave varësuese merren si produkte gjysmë të përpunuara (gjysmësintetike). Të tilla janë morfina, heroina dhe kokaina, të cilat përfitohen në laboratorë nga substancat e tyre pararendëse të cilat gjinden në ekstraktin e bimëve të caktuara. Kështu, p. sh: nga opiumi i cili gjendet në „bimën gjumëvënëse“ (papaver somniferum) fitohet morfina, e cila në mjekësi përdorët kundër dhimbjeve të forta. Pjesa tjetër e substancave varësuese janë prodhime të plotësisht sintetike. Të tilla janë MDMA, Ecstasy, LSD dhe medikamentet varësuese.
Si merren/konsumohen/substancat varësuese – Substancat varësuese merren në mënyra të ndryshme. Një pjesë e tyre merren nëpërmjet të gëlltitjes ose thithjes nga goja, një pjesë merren si tymra nëpërmjet të frymëmarrjes, pjesa tjetër merren nëpërmjet të thithjes së pluhurave të tyre nga hunda, dhe një pjesë e tyre merren në formën e tretësirave nëpërmjet të shiringave në vena.
Ndarja sipas e drogave sipas potencialit varësues – Drogat e ndryshme kanë potenciale varësuese të ndryshme. Me potencial më të pakët varësues janë hashashi dhe marihuana të cilat përfitohen nga bima e kanabisit. Droga me potencial më të lartë varësues është heroina bashkë me drogat sintetike MDMA, Ecstasy, LSD etj. Drogat tjera të përmendura më lartë përfshi edhe alkoolin kanë potencial varësues mesatar.
Pasojat
Varësia e personave të cilët konsumojnë alkool ose/dhe droga ilegale është pasoja e parë por jo edhe e vetmja.
Çrregullime psikike dhe trupore nga të cilat vuajnë të varësuarit paraqesin pasojën tjetër e cila ndodh për shkak të dëmtimit të strukturave të trurit nga alkooli dhe drogat ilegale.
Co-varësia e personave të cilët i përkujdesin të varësuarit paraqet pasojën tjetër të radhës. Duke pasur parasysh se për të njëjtin person të varësuar përkujdesen sipas rastit dy-tre apo katër anëtarë tjerë të familjes, kjo fletë se numri i të co-varësuarve është tre-katër herë më i madh se numri i të varësuarve.
Meqë numri i substancave varësuese është shumë i madh brenda këtij artikulli po i referohemi vetëm varësisë dhe co-varësisë nga alkooli dhe drogat ilegale.
Aspekti specifik:
Rrjedha e co-varësisë me rastin e varësimit nga alkooli dhe drogat ilegale
Faza e parë e marrjes në mbrojtje dhe e arsyetimit – Në këtë fazë rrethi i ngushtë familjar dhe të tjerët, personin i cili ka filluar të konsumoj alkool ose droga ilegale të shumtën e herëve e toleron, e merr në mbrojtje dhe e arsyeton duke e lidhur konsumimin e alkoolit dhe/ose të drogave ilegale nga ana e tij me mbingarkesat dhe stresin e madh në vendin e punës, apo me humbjen e personit të dashur, me problemet shëndetësore të partnerit/partneres, me humbjen e papritur të pasurisë etj.
Sqarimet e tilla arsyetuese dhe mbrojtëse të familjarëve dhe të të tjerëve bëhen me qëllim të lehtësimit psikik të konsumuesit të alkoolit ose të drogave ilegale, duke besuar se në këtë mënyrë ai do të inkurajohet që ta ndërpresë vet konsumimin e mëtejshëm të mjeteve të tilla varësuese, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh shpesh. Përkundrazi, marrja në mbrojte, arsyetimet dhe sqarimet e tilla, konsumuesin e alkoolit ose të drogave ilegale e shmangin nga vetëpërgjegjësia dhe nga përpjekjet e tij vetanake për ndërprerjen e konsumimit të mëtejshëm të mjeteve varësuese.
Meqë në këtë fazë të shumtën e herëve nuk kërkohet ndihma adekuate profesionale kjo bën që të nënvlerësohet, si rreziku si varësimit të familjarit, ashtu edhe rreziku i co-varësimit të familjarëve të tjerë të cilët e përkujdesin atë. Kjo fazë sipas rastit mund të zgjasë me muaj ose me vjet.
Faza e dytë, është ajo e kontrollit të vazhdueshëm – Në këtë fazë anëtari i familjes veç është varësuar plotësisht nga alkooli ose/dhe nga drogat ilegale, kurse anëtarët tjerë të familjes të cilët e përkujdesin atë veç janë co-varësuar. Ata anëtarin e varësuar të familjes tani e vënë nën kontroll të vazhdueshme, në mënyrë që ai të mos vije në kontakt alkoolin ose/dhe drogave ilegale. Kështu, në shtëpinë e të varësuarit tani më nuk gjendet qoftë edhe pikë alkool, kurse sa herë që anëtari i varësuar i familjes del jashtë në ambiente publike, ai shoqërohet nga anëtari tjetër i familjes i cili ka për detyrë që t`ia pamundësoj atij marrjen e alkoolit ose të ndonjë droge ilegale.
Ndonjëherë, në këtë fazë i varësuari për shkak të kontrollit të vazhdueshëm të familjarëve, për një kohë nuk konsumon ose konsumon me pak alkool ose droga ilegale dhe kësisoj përmirësohet, por ai në të vërtet nuk është shëruar nga varësia dhe për rrjedhojë vazhdon të konsumoj alkool ose droga ilegale fshehurazi nga familja.
Përkujdesja e tillë intensive dhe vënia e të varësuarit nën kontroll të vazhdueshëm të varësuarin përveçse e shmangë nga vetëpërgjegjësia edhe e dëshpëron pa masë, sepse ai fillon të ndjehet i armiqësuar dhe i mosdashur pikërisht nga më të dashurit e tij. Ndjenjat e tilla bashkë me ndjenjën e vetfajësisë bëjnë që i varësuari me qëllim të lehtësimit të tij, të konsumoj edhe më tej alkool ose/dhe droga ilegale, duke rrëshqitur ai kësisoj brenda „qarkut të djallit“ („Teufelkreis“) prej të cilit e ka vështirë të dalë.
Nga ana tjetër, familjarët e të varësuarit për shkak të përkujdesjes dhe përpjekjeve intensive të pasuksesshme që kanë bërë për familjarin e tyre shpeshherë për vjet të tëra, tanimë vuajnë nga shenjat e co-varësisë siç janë: gjendjet me dëshpërim, frikë, pasiguri, pagjumësi, pakënaqësi dhe shenja të tjera depresive. Situata përkeqësohet kur në familje paraqitën probleme sociale, kur i varësuari e humbë vendin e punës, ose kur ai është nxënës e braktisë shkollën etj. Në disa raste familja rrezikohet me shkatërrim. Bashkëshortët duan të ndahen sepse njëri prej tyre është varësuar nga alkooli ose drogat ilegale. Situata bëhet e padurueshme sidomos kur i varësuari nga fillon me torturimin e familjarëve të tij, kur ai përdorë dhunë psikike verbale dhe/ose fizike ndaj prindërve, bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve, me ç`rast anëtarët e familjes për t`u mbrojtur nga i varësuari detyrohen ta kërkojnë ndihmën e organeve policore. Të gjitha këto fenomenit të co-varësisë i japin dimensione dhe specifika të jetë të ndjeshme dhe të mprehta. Edhe kjo fazë sipas rastit mund të zgjasë me muaj ose me vjet.
Faza e tretë, e akuzimit dhe e fajësimit të të varësuarit – Në këtë fazë, si varësia e anëtarit të familjes ndaj alkoolit ose/dhe drogave ilegale, ashtu edhe co-varësia e anëtarëve tjerë të familjes janë thelluar e kronifikuar. Rrethi familjar duke i qenë i dëshpëruar me mosarritjen e sukseseve lidhur me „shërimin“ e familjarit të varësuar, fillon të dorëzohet dhe ta akuzoj të varësuarin për konsumimin e mëtejshëm dhe të pandalshëm të alkoolit ose/dhe të drogave ilegale. Injorimi dhe akuzimi i tillë i familjarëve bashkë me ndjenjën e vetfajësisë bëjnë që i varësuari për ta lehtësuar vetën të konsumoj edhe më shumë alkool ose/dhe droga ilegale, duke rrëshqitur ai kësisoj sërish brenda „qarkut të djallit!“.
Faza e tretë e varësisë dhe co-varësisë rrjedhë më tej nëpër dy nënfaza:
Nënfaza e rehabilitimit të të varësuarve – Në këtë nënfazë, familjarët duke mos pasur rrugëzgjidhje tjera, tanimë me vonesë të madhe e kërkojnë ndihmën e personave profesionist për shërimin e të varësuarve të tyre, kurse në raste të veçanta angazhohen edhe për hospitalizimin e të varësuarve në klinika speciale për shërimin e varësisë nga alkooli dhe drogat ilegale. Por derisa pjesa e madhe e të varësuarve e përmirësohen e rehabilitohen pjesërisht, kurse pjesa e vogël e tyre shërohet plotësisht, familjarët e tyre vazhdojnë të vuajnë edhe më tej nga shenjat e co-varësisë të përmendura më lartë. Kjo ndodhë sepse ata në njërën kanë frikë se të varësuarit e tyre sërish mund t`i kthehen konsumimit të alkoolit dhe/ose drogave ilegale, kurse nga ana tjetër ata nuk janë trajtuar e shëruar nga personat profesionist.
Nënfaza e rehabilitimi të të co-varësuarve – Në këtë nënfazë të co-varësuarit merren (ishte dashtë të merren) me rehabilitimin dhe shërimin e tyre nga co-varësia e krijuar të shumtën e herëve për vjet të tëra.
Këshilla
Personi i cili ka filluar të konsumoj alkool ose droga ilegale dhe familjarët e tij duhet të mos presin dhe ta kërkojnë ndihmën adekuate profesionale për parandalimin e varësisë dhe të co-varësisë që në fazën e parë të zhvillimit të tyre. Ndihma e tillë paraqet prevenimin primar të varësisë dhe të co-varësisë.
Në rastet kur varësia e anëtarit të familjes dhe bashkëvarësia (co-varësia) e anëtarëve tjerë të familjes janë zhvilluar plotësisht, si i varësuari ashtu edhe të co-varësuarit duhet patjetër të trajtohen nga personat profesionist për shërimin e varësisë dhe të co-varësisë. Trajtimi i tillë paraqet prevenimin sekondar të varësisë dhe të co-varësisë.
Në rastet kur varësia e anëtarit të familjes është thelluar dhe kronifikuar duke paraqitur rrezik për jetë, familjarët e tij duhet që patjetër të angazhohen për hospitalizimin e të varësuarit në klinika përkatëse për shërimin e varësive nga alkooli dhe drogat ilegale, si dhe duhet që edhe vet të trajtohen nga personat profesionist për shërimin e tyre nga co-varësimi kronik. Ky hapë paraqet prevenimin terciar të varësisë dhe të co-varësisë.
Info:
Këshillimorët për parandalimin e varësive në qytetin dhe kantonin e Cyrihut
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/alkohol/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/amphetaminespeed/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/anabolika/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/cannabis/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/ecstasy/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/gluecksspiel/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/halluzinogene/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/heroin/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/online-konsum-games-chat/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/kokain/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/medikamente/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/schnueffelstoffe/
www.suchtpraevention-zh.ch/abhaengig-von/tabak/
Klinikat për shërimin e varësive në qytetin e Cyrihut
Klinikat për shërimin e varësive në kantonin e Cyrihut
