Co-Varësia si pasojë e varësisë nga mjetet varësuese

I. Aspekti i përgjithshëm i „Co-Varësisë“ ose „Bashkëvarësisë“ 

Shkruar nga Dr. med. Xhevat Hasani

Terminologjia

„Co-Varësia“ ose „Bashkëvarësia“ paraqet një  nocion relativisht të ri në terminologjinë e varësisë, qoftë nga mjetet substanciale, siç janë p. sh: varësia nga duhani, alkooli, drogat ilegale etj., qoftë nga mjetet josubstanciale, siç janë  p.sh: varësia nga lojërat e fatit, mjetet digjitale etj. Në shoqëritë e vendeve në zhvillim, siç është edhe shoqëria shqiptare e shpërndarë në disa vende ballkanike, nocioni i co-varësisë paraqet një ide dhe koncept fare të ri dhe mbase edhe të panjohur deri më tani. Përafërsisht e njëjta gjë vlen edhe për grupet e migrantëve të cilat nga vendet në zhvillim janë vendosur në vende të zhvilluara siç është edhe Zvicra. Pikërisht për këtë arsye ia vlen që lidhur me temën e co-varësisë të shkruhet në gjuhën shqipe në faqen e „shoqatës parandalo“, në mënyrë migrantët shqiptarë me banim në Zvicër të njihen me të. 

Definicioni

Co-Varësia ose Bashkëvarësia paraqet  varësinë e  tjetrit ose të tjerëve, në radhë të parë të familjarëve, ose sipas rastit edhe të kolegëve të punës dhe të miqve të tjerë ndaj problematikave të familjarit, ose të bashkëpunëtorit i cili ka filluar të konsumoj mjete varësuese, ose veç është varësuar prej tyre. 

Si ndodhë Co-Varësia

Co-Varësia ndodhë si pasojë e përkujdesjes dhe e përpjekjeve afatgjata, të shumtën e herëve të pasuksesshme të familjarëve, të kolegëve të punës dhe e të tjerëve ndaj personit i cili ka filluar të varësohet, ose veç është varësuar nga mjetet varësuese substanciale, ose nga lojërat e fatit etj. Me fjalë të tjera, derisa njëri nga anëtarët e familjes ka filluar të varësohet ose veç është varësuar nga mjetet varësuese, anëtarët tjerë të familjes, ose sipas rastit edhe miqtë dhe shokët e tij fillojnë bashkëvarësohen (co-varësohen) në raport me problematikat dhe përkujdesjen intensive ndaj të varësuarit.      

Si zhvillohet Co-Varësia

Co-Varësia si edhe varësia zhvillohet spontanisht e gradualisht sipas rastit për vite të tëra. Sa më shumë që anëtari i caktuar i familjes varësohet nga mjetet varësuese, aq më shumë co-varësohen (bashkëvarësohen) anëtarët tjerë të familjes, të cilët atë e përkujdesin dhe e ndihmojnë me qëllim të „shërimit“ të tij. E tërë kjo ngjanë me atë thënien popullore shqiptare sipas të cilës „kur një  person i familjes është i sëmurë, sëmurën të gjithë të tjerët!“. 

Shenjat e Co-Varësisë

Me kalimin e kohës te anëtarët e familjes dhe të të tjerët të cilët e përkujdesin të varësuarin shfaqën shenja të ngarkesave psikike dhe trupore që janë pasojë e co-varësisë. Kështu, p.sh: ata vuajnë nga frika dhe pasiguria se çfarë do të ndodhë me  personin  i cili vazhdon të konsumoj mjete varësuese. Vet përpjekjet e tyre të pasuksesshme për ta ndihmuar të varësuarin shoqërohen shpesh me ndjenjën e  dëshpërimit, zhgënjimit, dështimit dhe sipas rastit edhe të vetëfajësimit. Ngarkesat e tilla me natyrë psikike me kalimin e kohës shoqërohen edhe me pagjumësi, kokëdhembje, dhimbje muskujsh e nyjash, lodhje trupore  etj. Të gjitha shenjat e tilla me natyrë psikike dhe trupore marrë së bashku paraqesin shenjat e co-varësisë prej të cilave vuajnë të afërmit e të varësuarit, edhe në rastet kur i varësuari është shëruar, sepse kanë frikë se ai sërish mund t`i kthehet konsumimit të substancave varësuese, lojërave të fatit etj. 

Fazat e Co-Varësisë

fazën e parë,  familjarët, kolegët e punës dhe të tjerët,  personin i cili ka filluar të  merr mjete varësuese, të shumtën e herëve e marrin në mbrojtje duke e arsyetuar  marrjen e mjeteve varësuese nga ana e tij p.sh: me stresin e madh në vendin e punës,  ose me ndonjë ngjarje të keqe që i ka ndodhur atij etj.  

fazën e dytë, kur personi  veç është varësuar nga mjetet varësuese, anëtarët tjerë familjes dhe të tjerët përpiqen që atij t`ia pamundësojnë ardhjen në kontakt me mjetet varësuese duke e mbajtur atë nën kontroll të vazhdueshme etj. Meqë edhe përkundër angazhimeve të tilla  personi i familjes vazhdon me konsumimin e mjeteve varësuese, kjo bën që te anëtarët tjerë të familjes të shfaqen ngarkesa psikike të co-varësisë  të përmendura më lartë.

fazën e tretë, anëtarët  e familjes të  dëshpëruar me mossuksesin e tyre dhe  me vet anëtarin e varësuar   të familjes i cili vazhdon të konsumoj mjete varësuese,  këtë të fundit fillojnë ta  akuzojnë për mospërpjekje vetanake për ndërprerjen e konsumimit të mjeteve varësuese. Në këtë fazë, anëtarët e familjes duke u ndier të pafuqishëm për tu përballur më tej me të varësuarin, e kërkojnë ndihmën profesionale dhe institucionale për shërimin e tij. 

Këshilla

Familjari i cili ka filluar të varësohet nga substancat varësuese ose nga lojërat e fatit dhe familjarët e tij të cilët e përkujdesin atë, duhet që ta kërkojnë me kohë ndihmën e personave profesionist me qëllim të prevenimit primar të varësisë dhe të co-varësisë

Në rastet kur anëtari i familjes veç është varësuar, kurse anëtarët tjerë të familjes veç janë co-varësuar, duhet që të dy palët patjetër të trajtohen nga personat profesionist me qëllim të prevenimit (shërimit) sekondar të varësisë dhe të co-varësisë.     

Në rastet kur gjendja e të varësuarit për shkak të veprimit afatgjatë të substancave varësuese është bërë kritike, kurse anëtarët e co-varësuar të familjes ndjehen të ngarkuar ekstremisht, duhet që i varësuari  urgjentisht të hospitalizohet, kurse familjarët e tij të trajtohen profesionalisht me qëllim të prevenimit (shërimit të pasojave) terciar të co-varësisë. 

Kush janë personat profesionist

Në vendet e zhvilluara  me sisteme shëndetësore të etabluara siç është Zvicra, personat profesionist të cilët marren me parandalimin dhe shërimin e varësive dhe për rrjedhojë edhe të co-varësive janë të shumtë, duke filluar që nga mjekët e shtëpisë, këshilltarët për parandalimin e varësive, punëtorët social, sociopedagogët, psikologët, psikiatrat dhe profesionistët tjerë.  

Cilat janë terapitë profesioniste

Këshillimet dhe terapitë profesioniste për parandalimin e varësive dhe për rrjedhojë edhe të co-varësive janë të ndryshme dhe të shumta, duke filluar që nga këshillimet psikosociale, psikopedagogjike e deri psikoterapitë e ndryshme, duke mos i përjashtuar këtu edhe terapitë e ndryshme trupore kur janë të nevojshme.

Cilat janë institucionet për parandalimin e varësive    

Në vende të zhvilluara siç është Zvicra ekzistojnë këshillimore të shumta për parandalimin e varësive sipas llojit të substancave varësuese. Më tej në këto vende ekzistojnë edhe qendrat sociale të komunave dhe të spitaleve, të cilat po ashtu me këshillimet dhe ndihmat tjera sociale ndikojnë në prevenimin e varësive të ndryshme.  Një rol të veçantë në prevenimin dhe shërimin e varësive kanë institucionet sociopedagogjike në të cilat sipas nevojës mund të vendosën për një kohë të rinjtë me probleme të varësisë.  

Cilat janë institucionet për shërimin e varësive

Edhe institucionet për shërimin e varësive dhe për rrjedhojë edhe të co-varësive në Zvicër janë të shumta. Të tilla janë praksat private të mjekëve të shtëpisë, të psikiatrave dhe të psikologëve, klinikat speciale për shërimin e varësive, klinikat universitare psikiatrike dhe së fundi edhe klinikat e përgjithshme të cilat merren me shërimin e pasojave trupore të varësive.    

Roli i familjes, i kolegëve të punës dhe i miqve

Ekzistimi i institucioneve, i personave profesionist dhe i terapive profesionale për parandalimin, rehabilitimin dhe shërimin e varësive, nuk e përjashton përkujdesjen dhe ndihmën e anëtarëve të familjes, të kolegëve të vendit të punës dhe të miqve të tjerë ndaj anëtarit të familjes, kolegut/koleges së punës, të mikut apo mikeshës, të cilët kanë filluar të varësohen ose veç janë varësuar nga mjetet varësuese. Përkundrazi, personat që kanë filluar të varësohen ose që veç janë varësuar kanë nevojë për mbështetjen morale të anëtarëve të tjerë të familjes, të kolegëve të punës dhe të miqve të tjerë, për t`i përballuar kësisoj ata më lehtë situatat kritike të cilat kanë bërë që ata të rrëshqasin drejtë varësimit të tyre nga mjetet varësuese ose nga lojërat e fatit etj.

Por, familjarët dhe të tjerët, ndihmën dhe përkujdesin që e bëjnë ndaj të varësuarve nuk duhet ta kuptojnë si ndihmë dhe përkujdesje të vetme, por duhet ta kuptojnë si ndihmë dytësore dhe plotësuese në kuadër të ndihmës profesionale e cila e paraqet ndihmën vendimtare.  Kështu, roli më i mirë i familjarëve dhe i të tjerëve në raport me të varësuarin duhet të jetë i dyfishtë: në njërën anë t`i përkujdesin dhe t`i inkurajojnë të varësuarit, kurse në anën tjetër të angazhohen që ata të trajtohen nga personat profesionit, sepse kësisoj i kontribuojnë si shërimit të të varësuarve, ashtu edhe parandalimit dhe shërimit të tyre nga co-varësimi.

Literatura:

Monika Rennert: Co-Abhängigkeit. Was Sucht für die Familie bedeutet. Lambertus-Verlag, Freiburg im Breisgau 2012, ISBN 978-3-7841-2089-8.

Pia Mellody , Andrea Wells Miller, J. K. Miller: Verstrickt in die Probleme anderer. Über Entstehung und Auswirkung von Co-Abhängigkeit. Kösel, München 1991, ISBN 3-466-30309-5.

Reinhold Aßfalg: Die heimliche Unterstützung der Sucht: Co-Abhängigkeit. Neuland, Geesthacht 2005, ISBN 3-87581-251-4.

Susanne Hühn: “Ich lasse DEINES bei dir” Co-Abhängigkeit erkennen und lösen” Schirmer Verlag, ISBN 978-3-8434-0870-7.



[1] „Co-Varësia“ – fjalë e përkthyer nga fjala gjermane „Co-Abhängigkeit“