1. Co-Varësia situative me rastin e çrregullimeve psikike

Shkruar nga Dr. med. Xhevat Hasani 

Aspekti i përgjithshëm:

Cilat çrregullime psikike çojnë në co-varësimin e të tjerëve

Jo të gjitha ç`rregullimet psikike (diagnozat) shpien në co-varësi të theksuara situative brenda rrethit të ngushtë familjarë dhe të personave të tjerë të cilët i përkujdesin ata gjatë përditshmërisë. Kështu, të sëmurët psikik të përmirësuar dhe të etabluar, të cilët trajtohen rregullisht nga personat profesionist, dhe që janë të vetëdijshëm për çrregullimet e tyre psikike dhe për rrjedhojë edhe vetëndihmohen, nuk e ngarkojnë aq shumë rrethin e ngushtë familjar sa që ai të vuaj nga shenjat e co-varësisë.

Nga ana tjetër janë çrregullimet psikike të caktuara të cilat për vet faktin se manifestohen edhe me sjellje normalisht të papranueshme, ngarkuese dhe sipas rastit edhe të rrezikshme nga ana e të sëmurëve, çojnë në co-varësim ekstrem të anëtarëve familjes dhe të të tjerëve, të cilët i përkujdesin dhe i „durojnë“ ata për vite me radhë dhe të shumtën e herëve gjatë tërë jetës. Në mesin e çrregullimeve psikike me efekte co- varësuese  janë ato që kanë të bëjnë me çrregullimet e personalitetit dhe skizofrenit.    

Çrregullimet e personalitetit dhe skizofrenit

Në literaturën psikologjiko-psikiatrike tanimë ka të dhëna të mjaftueshme të cilat flasin se sa e vështirë është përkujdesja dhe përballimi i të sëmurit psikik nga anëtarët tjerë të familjes, ose nga kolegët e punës, ose edhe nga të tjerët brenda të njëjtit ambient jetësor.

Kështu, p. sh: nuk është aspak e lehtë ta kesh një pjesëtar të familjes i cili vuan nga ç`rregullimet e personalitetit, p. sh:  të tipit disocial, me ç`rast ai kërkon që t`i plotësohen të gjitha dëshirat e tij, shpesh të paarsyeshme dhe të pamundshme për t`u plotësuar, duke mos qenë ai aspak i arsyeshëm ndaj të tjerëve në familje, ose në vendin e punës; ose të tipit me çrregullime të marrëdhënieve ndërnjerëzore, me ç`rast ai konfliktuohet me secilin në familje dhe me kolegët e tij në vendin e punës, ose me partnerin/partneren duke e rrezikuar edhe bashkëshortësinë; ose të tipit paranoik; skizoid; skizotipik, fobik, narcisoid etj.

Po ashtu nuk është aspak e lehtë të kesh një anëtarë të familjes i cili vuan nga ndonjë tip i caktuar i skizofrenisë, me rast ai për shkak të çrregullimeve të theksuara psikike nuk i merr medikamentet sepse beson se mjekët duan që ta helmojnë, ose që i sulmon fizikisht anëtarët tjerë të familjes, ose që tenton të bëj vetëvrasje etj.  Që mos të keqkuptohem nga lexuesit dua të theksoj, se jo të gjitha tipet e nëntipet e skizofrenive manifestohen me sjellje e veprime ngarkuese për rrethin nga ana e të sëmurëve, sepse ka tipe të skizofrenive dhe persona që vuajnë prej tyre, të cilët ndonëse pak a shumë karakterizohen nga sjellje të veçanta ekscentrike, megjithatë, nuk paraqesin rrezikshmëri as për vetën e as për rrethin, dhe si të tillë sipas rastit edhe punojnë në vende pune të përshtatshme për ta.

Aspekti specifik:        

Rrjedha dhe zhvillimi i co-varësive  me rastin e çrregullimeve psikike

Në njërën anë është përkujdesja intensive, kurse në anën tjetër janë sjelljet përtej të lejueshmes dhe të tolerueshmes të të sëmurëve psikik, ato të cilat bëjnë që anëtarët e familjes së ngushtë, kurse në disa shoqëri tradicionale edhe anëtarët e familjes së gjerë, të vuajnë bashkarisht me të sëmurit e tyre psikik për shkak të zhvillimit të co-varësisë.  Të sëmurët e tillë psikike me sjellje e veprime ngarkuese për të tjerët,  „luajnë“  me disponimin e të gjithë të tjerëve në familje e më gjerë. Kur ata përmirësohen, gëzohen e përmirësohen të gjithë anëtarët tjerë të familjes, kur ata përkeqësohen, hidhërohen e përkeqësohen të gjithë anëtarët e familjes. Kësisoj, një i sëmurë i tillë mund të co-varësoj dhe të „shtrijë për dhe/dysheme“ sipas rastit pesëmbëdhjetë apo njëzetë anëtar të familjes së ngushtë e të farefisit të gjerë, ndër të tjera edhe për shkak të rrjedhës kronike dhe të mos-shërimit të plotë që kanë çrregullimet e tilla psikike.

Ndikimi i faktorëve kulturor në zhvillimin e co-varësive me rastin e çrregullimeve psikike  

Pothuajse në të gjitha kulturat dhe religjionet e shoqërive të ndryshme çrregullimet me natyrë psikike pak a shumë janë të tabuizuara, të mitizuara dhe të stigmatizuara, dhe si të tilla ato mbeten kryesisht si çështje e brendshme e të sëmurëve dhe e anëtarëve të familjeve të tyre të ngushta.  Kështu,  edhe në vendet e përparuara personat që vuajnë nga çrregullimet psikike dhe të afërmit e tyre të cilët i përkujdesin ata, nuk vendosin lehtë që ta kërkojnë ndihmën e psikiatrave dhe të psikologëve, gjë që nuk ndodhë kur është fjala për sëmundjet trupore. Tabuizimet, mitizimet, stigmatizimet dhe ngurrimi për të kërkuar ndihmë profesionale për  shërimin e personave me çrregullimeve psikike, paraqesin faktor favorizues për zhvillimin e co-varësive në mesin e anëtarëve të familjeve të ngushta të cilët i përkujdesin të sëmurët e tyre me çrregullime psikike.

Tabuizimet, mitizimet, stigmatizimet dhe ngurrimet e tilla për të kërkuar ndihmë profesionale janë edhe me të theksuara në mesin e disa grupeve të emigrantëve, përfshirë këtu edhe shqiptarët, të cilat nga shumë vende pazhvilluara, siç është edhe Kosova, janë vendosur në vende të zhvilluara, siç është edhe Zvicra. Kështu, në mesin e grupeve të caktuara të migrantëve mund të ndodhë që çrregullimet psikike, si nga personat të cilët vuajnë prej tyre, ashtu edhe nga familjarët e tyre, të mbahen të fshehura për vjet të tëra, me ç’rast si çrregullimet psikike të të sëmurëve, ashtu edhe co-varësitë e familjarëve të tyre janë të kronifikuara dhe për rrjedhojë edhe vështirë të trajtueshme e të shërueshme

Shenjat e co-varësisë  me rastin e çrregullimeve psikike

Me kalimin e kohës familjarët vuajnë gjithnjë e më shumë nga frikat dhe pasiguritë e shumta lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me sëmurin e tyre psikik. Ata brengosën, dëshpërohen, pikëllohen dhe sipas rastit edhe zemërohen me sjelljet dhe veprimet e palogjikshme dhe të paakseptueshme të të sëmurit të tyre. Në rastet kur i sëmuri ka filluar të bëhet agresiv ndaj të tjerëve në familje ose ndaj vetës me qëllim të vetëvrasjes, anëtarët e familjes kthehen në “roje!”. Ata kudo që janë, brenda ose jashtë familjes, “një sy e një vesh” e kanë të drejtuar kah i sëmuri veprimet e të cilit nuk janë të parashikueshme.  Kësisoj, anëtarët e familjes duke qenë të co-varësuar, ata tani vuajnë nga një pjesë e çrregullimeve psikike prej të cilave vuan edhe vet i sëmuri,  p. sh: nga ç`rregullimet e frikës, të gjumit dhe çrregullimet afektive të shoqëruara me depresione. Kështu, edhe në rastet kur i sëmuri në masë të konsiderueshme është rehabilituar dhe “shëruar”, anëtarët e familjes vazhdojnë të vuajnë edhe më tej nga shenjat e co-varësisë, sepse në njërën anë kanë frikë se të sëmurit mund t`i kthehen gjendjet e mëparshme, kurse në anën tjetër ata vet nuk janë trajtuar e shëruar nga co-varësia e tyre.

Në shumë raste anëtarët e familjes së ngushtë përpjekjet dhe përballjet e tyre të vështira  për ta përkujdesur dhe ndihmuar të sëmurin psikik, i kuptojnë si një fatkeqësi të veçantë dhe si një dënim nga Zoti për shkak të ndonjë mëkati të bërë paraprakisht.   

Këshilla

Personat të cilët vuajnë nga çrregullimet psikike dhe familjarët e tyre duhet ta kërkojnë me kohë ndihmën e personave profesionist, të mjekëve të shtëpisë, të psikiatrave e të psikologëve, me qëllim të parandalimit primar të zhvillimit të sëmundjeve psikike dhe të co-varësisë. 

Në rastet kur i sëmuri psikik shfaqë shenja të theksuara të sëmundjes psikike, familjarët që së bashku me mjekun e shtëpisë duhet që patjetër ta kërkojnë ndihmën e personave profesionist, me qëllim të parandalimit dhe të shërimit sekondar të të të sëmurit dhe të co-varësisë të familjarëve të tij.

Në rastet kur i sëmuri psikik për shkak të situatës kritike në të cilën gjendet paraqet rrezik për vetën (do që të vetëvritet) ose për të tjerët, hospitalizimi i tij është i domosdoshëm me qëllim të prevenimit dhe shërimit terciar të të sëmurit dhe të co-varësisë së anëtarëve të familjes të cilët e përkujdesin të sëmurin. 

Nëse gjendjet e tilla kritike të të sëmurit psikik paraqitën në orët e vona të mbrëmjes apo të natës, familjarët duhet të angazhohen që ta çojnë atë në shërbimin më të afërt të urgjencës.

Info:

Institucionet për trajtimin dhe shërimin e çrregullimeve psikike  në kantonin e Cyrih-ut

Privatklinik Hohenegg, Klinik Psychiatrie, Psychotherapie und Psychosomatik Meilen

Psychiatrische Klinik Sanatorium Kilchberg 

ipw (Integrierte Psychiatrie Winterthur)    

UNI-Spital Zürich -Klinik für Psychiatrie und Psychotherapie

Psychiatrische Klinik am Zürichberg Zürich

Schlössli, Private Klinik für Psychiatrie u. Psychotherapie